Haradinaj: Sektori i bujqësisë, prioritet i Qeverisë
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në konferencën për bujqësi të qëndrueshme, pylltari dhe zhvillim rural në Kosovë, të organizuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Kryeministri ka thënë se bujqësia është e rëndësishme dhe meriton vëmendje të madhe. “Është lajm i mirë, që bujqësia ka marrë vëmendjen e Qeverisë së Kosovës dhe kjo vërtetohet me rritjen e buxhetit nga viti në vit”, ka deklaruar kryeministri, duke falënderuar partnerët Komisionin Evropian dhe USAID-in.
Haradinaj ka theksuar se Qeveria do t’i kushtojë vëmendje këtij sektori dhe vitin që vjen do të punojë për një zhvillim të qëndrueshëm të bujqësisë, duke vlerësuar lartë resurset edhe të pylltarisë së Kosovës.
“Është e rëndësishme që përkrahja, grantet dhe subvencionet të mbërrijnë te ata që i meritojnë, te ata që ju takojnë. Në të kaluarën kanë ndodhë edhe keqpërdorime në ndarjen e granteve dhe subvencioneve. Grantet dhe subvencionet janë paratë e taksapaguesve, donatorëve dhe ato duhet të shkojnë te ata që i meritojnë”, është shprehur Haradinaj, duke theksuar se s’do të lejohet që kjo gjendje të shkojë në pakufi me gabime dhe lëshime.
Po ashtu, Haradinaj ka deklaruar se Kosova nuk e ka të lehtë hapjen e vendeve të punës. “Vendet e punës vijnë si kërkesa nga tregu, andaj të konsumohen prodhimet vendore, ngaqë kjo shpie te stimulimi i prodhuesve vendorë dhe kështu edhe deri te hapja e vendeve të punës”, ka thënë ai.
Ndërkohë ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikallo, ka prezantuar arritjet e deritashme në zhvillimin e bujqësisë dhe ka prezantuar prioritetet në të ardhmen, në të cilat do të fokusohet ministria.
Të pranishëm në këtë konferencë ishin edhe përfaqësuesit e BE-së dhe USAID-it, të cilët njëkohësisht janë edhe donatorët kryesor në sektorin e bujqësisë.