Haradinaj: Serbia është duke e penguar regjistrimin e ndërmarrjes ‘Trepça’ (Video)
Edhe pse Ligji për “Trepçën” është miratuar tash e gati tri vjet dhe Statuti i miratuar në Kuvendin e Kosovës muaj më parë, Beogradi zyrtar është duke u bërë pengesë për regjistrimin e aseteve të “Trepçës” si ndërmarrje publike.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj u ka bërë thirrje minatorëve të “Trepçës” nga komuniteti serb që mos të bien pre e Beogradit zyrtar.
Haradinaj ka thënë se regjistrimi i ndërmarrjes “Trepça” është çështje ditësh. Ndonëse, autoritet e Kosovës kanë rezervuar tri vende në Bordin e “Trepçës” për komunitetin serb, udhëheqësit e këtij gjiganti në veri të Mitrovicës refuzojnë t’i japin përgjegjësi këtij bordi.
Ndërsa ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZhE), Valdrin Lluka, ka thënë se inkuadrimi i minoritetit serb në Bordin e “Trepçës”, është paraparë për shkak të rëndësisë së “Trepçës” në veri të Mitrovicës.
Mos regjistrimi i ndërmarrjes “Trepça”, për ministrin e MZhE, Valdrin Lluka nuk e ka dëmtuar imazhin e ndërmarrjes, derisa ka thënë se ka interesim prej investitorëve të huaj.
Në anën tjetër, profesori universitar Muhamet Sadiku, ka thënë se resurset e “Trepçës” janë pjesë përbërëse e resurseve të Kosovës.