Haradinaj, Serbisë për vrasjen e Ivanoviqit: Juridiksionin për hetime e ka vetëm Kosova
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova nuk ka pranuar ndonjë kërkesë të Serbisë për t’u involvuar në hetimet për vrasjen e Oliver Ivanovic, derisa ka komentuar edhe adresimin e Serbisë ndaj misioneve ndërkombëtare në Kosovë rreth vrasjes së Ivanoviqit.
Ai ka thënë se për këtë gjë, nuk janë ato që vendosin, pasi juridiksionin për hetime e ka vetëm Kosova.
“Juridiksionin për hetime e ka Kosova. Për kërkesat drejt EULEX-it dhe UNMIK-ut, ata s’kanë të drejtë me dhënë autorizim të tillë. Të vetmet që duhet të japin autorizim janë institucionet e Kosovës. Të Kosova nuk është dorëzuar një kërkesë e tillë’, është shprehur Haradinaj në një konferencë për medie.
Ai ka sqaruar se kërkesa e Serbisë ka të bëjë me këmbimin e informacioneve, gjë që sipas kryeministrit i konvenon edhe Kosovës.
“Është dorëzuar një kërkesë për këmbim të informatave, çka edhe për ne është e mirë. Pra, Kosova s’ka marrë kërkesë për involvim në hetime në Kosovë”, ka thënë Haradinaj.
Përfshirjen e Serbisë në hetimin për vrasjen e Oliver Ivanoviqit e ka kërkuar së pari presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, i cili ka thënë se nuk u beson autoriteteve të Prishtinës. (Express)