Haradinaj: ShBA-ja dhe BE-ja gabojnë kur e ndërlidhin taksën me dialogun
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe vendet e Bashkimit Evropian (BE) që të mos e ndërlidhin vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë me shfuqizimin e taksës doganore, të cilën Qeveria e Kosovës ua ka vënë importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
“Është gabim pozicioni, edhe i Uashingtonit, edhe i evropianëve, edhe i Berlinit, edhe i Parisit, t’ia pranojnë kushtin Serbisë, heqjen e tarifës, për të vazhduar dialogun”, ka thënë kryeministri Haradinaj.
Këto komente ai i ka bërë në tryezën e diskutimit me shoqërinë civile në Prishtinë, me temën “Dialogu Kosovë – Serbi pas takimit të Berlinit”, të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës.
“Koha na ka kushtuar të dyja palëve. Njëzet vjet kanë kaluar që nga përfundimi i luftës në Kosovë dhe ne nuk kemi interes që të hapim sërish çështjen e Kosovës së 17 shkurtit, se këtë Kosovë të 17 shkurtit e ka mbyllur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë”, ka thënë Haradinaj, duke përjashtuar çdo mundësi që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të shtrihet edhe në çështjen e kufirit dhe sovranitetit të Kosovës.
“Kosova është shtëpi e të gjithëve dhe është mirë që debati dhe temat të kalojnë nganjëherë në tavolinën tuaj dhe jo vetëm në tonën, si të partive ose vetëm të institucioneve”, ka deklaruar Haradinaj.
Në debat ka marrë pjesë edhe ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean Hubert Lebet, i cili ka thënë se Samiti i Berlinit ka konfirmuar rëndësinë që palët të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjore, me qëllim që të arrihet normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai e ka komentuar edhe idenë e lansuar qysh vitin e kaluar nga protagonistët e dialogut Kosovë – Serbi për ndryshim apo korrigjim të kufirit, të cilën e cilësoi si joadekuate.
“Ndryshimi i kufijve nuk funksionon dhe as nuk ka funksionuar kurrë në histori”, ka thënë ambasadori zviceran, sipas të cilit, nëse lëvizin kufijtë, arsyet e konfliktit nuk do të thotë se do të zgjidhen.
Tryeza e sotme ka pasuar Samitin e Berlinit, të mbajtur më 29 prill, ku kancelaria gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, morën dakordimin e Prishtinës dhe Beogradit për vazhdimin e dialogut në Paris, më 1 korrik. /Rel/