Haradinaj: Shën Tereza me mrekullitë e saj i dha botës shembullin unik të humanizmit
Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, ka kujtuar Shën Terezën në 109-vjetorin e lindjes së saj.
Ai përmes një shkrimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka thënë se nobelistja e parë shqiptare në mënyrë të mahnitshme mishëroi idenë e shërbimit për paqe, duke i dhënë emër dhe vlerë popullit të saj.
“Nobelistja e parë shqiptare, Shën Tereza, me mrekullitë e saj, i dha botës shembullin më unik dhe të papërseritshëm të humanizmit. Ajo e shndërroi në kult mesazhin e përkushtimit të nënave shqiptare, duke e universalizuar në përmasa botërore. Sot, në 109 vjetorin e lindjes, me krenari kujtojmë trashëgiminë e jashtëzakonshme të Shën Terezës, që në mënyrë të mahnitshme mishëroi idenë e shërbimit për paqe, duke i dhënë emër dhe vlerë popullit të saj. Të lartësuara qofshin përjetë emri dhe vepra e saj”, ka shkruar Haradinaj.