Haradinaj shkarkon ministrin serb për shkak të fyerjes së viktimave të masakrës së Reçakut
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shkarkuar ministrin e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Ivan Teodosijeviq, pas fyerjeve të viktimave të masakrës së Reçakut.
Haradinaj kë thënë së në qeverinë që drejton ai nuk do të ketë vend për ata që fyen në baza etnike, racore apo fetare.
“Sot kam marrë vendim për shkarkimin e ministrit të Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Ivan Teodosijeviq. Është e patolerueshme një gjuhë e tillë e urrejtjes nga ministri në fjalë. Është e pakuptimtë se si një deri sot kolegë i yni shprehet me aq injorancë, urrejtje dhe fyerje për viktimat e Reçakut, viktimat e tjera të regjimit të Millosheviçit dhe akceptimin dhe miratimin që ai i bëri terrorit të këtij regjimi. Kjo nuk arsyetohet. Në Qeverinë që unë e drejtoj nuk do të ketë vend për askë që në çfarëdo mënyre fyen të tjerët në bazë etnike, racore, fetare apo tjetër, e as ata që synojnë të akceptojnë politikat e tilla. Vendimi hyn në fuqi menjëherë”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Kjo është deklarata për të cilën është shkarkuar ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq: “Shkak për agresionin mbi vendin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në territorin e Kosovës dhe Metohisë, një Reçak i imagjinuar, ka qenë pikërisht shpikje e shqiptarëve terroristë, të cilën bënë ligësinë më të madhe në Kosovë dhe Metohi për të cilën askush nuk ka dhënë përgjegjësi. Ata kanë kryer krime para agresionit të NATO-s, kanë vrarë serbët e mirë. Ata vazhduan përgjakjen gjatë agresionit dhe edhe pas ardhjen së të ashtuquajturit mision paqeruajtës në Kosovë e Metohi”.
/Epoka e re/