Haradinaj shkon për ngushllime në familjet e viktimave nga aksidenti në Kroaci
Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka vizituar familjarët e viktimave të cilët vdiqën tragjikisht në aksidentin që ndodhi ditë më parë në Slavonski Brod të Kroacisë.
Haradinaj fillimisht shkoi në të pamet që e kanë hapur familjet Hoxha, Bellanica dhe Kastrati, pastaj vazhdoi tek familjet Sylmetaj, Kolmekshaj dhe Binakaj në Lipovec të Hasit dhe Devë të Gjakovës.
Në rrjetin social Facebook, i pari i AAK-së ka thënë se është vështirë që të gjenden fjalë ngushëlluese në të tilla raste.
“Familjarët që i humbën në aksidentin e 25 korrikut, jetuan e punuan në mërgim por mendja e tyre ishte në vendlindje e malli për familjen i pashuar. Dhembja e ndarë bashkë është gjithherë më e përballueshme. Kujtimi për më të dashurit jeton gjithmonë!”, ka shkruar ai.
Haradinaj shprehu ngushëllime edhe tek familja Zhubaj në Baballoq dhe ajo Maloku në Junik dhe bëri lutje që të mos përjetojnë më tragjedi të tilla.
“E jashtëzakonshme është forca e familjeve shqiptare në përballimin e dhembjeve. Lutemi që kurrë të mos përjetojmë tragjedi të tilla”.
Nga aksidenti i autobusit me mërgimtarë që po vinte nga Frankfurti në Kosovë që ndodhi më 25 korrik në Slavonski Brod në Kroaci mbetën të vdekur 10 persona ndërsa u lënduan 40 të tjerë.