Haradinaj: Shpend Maxhuni ka dhënë dorëheqje për arsye shëndetësore
Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka bërë me dije se Shpend Maxhuni ka dhënë dorëheqje nga funksioni i drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) për arsye shëndetësore.
“Motivi i dorëheqjes së tij është personal. Arsyeja ka qenë shëndetësore të cilën e respektoj”, ka thënë Haradinaj.
Pavarësisht kësaj, Haradinaj ka thënë se Shpend Maxhuni ka bërë një punë të mrekullueshme. “Puna jonë në AKI është e çmueshme dhe Maxhuni është lart me notën më të lartë të vlerësimit, jo vetëm prej meje por edhe aleatëve tonë në fushën e sigurisë dhe inteligjencës”, është shprehur Haradinaj.
Haradinaj ka thënë se AKI-ja aktualisht ka zëvendësdrejtor, por ende nuk ka kryeinspektor. Sipas tij detyrën e kryeinspektorit është duke e ushtruar një zyrtar i lartë i Inspektoratit të brendshëm në AKI.