Haradinaj: Shqiptarët, përjetësisht i janë falënderuese Amerikës për secilën etapë të historisë!
Lideri i AAK-së dhe ish-komandanti i UÇK-së në Dukagjin, Ramush Haradinaj, ka thënë se rreshtimi i NATO-s në krye me ShBA-në krah UÇK-së ia ka dhënë vulën lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Duke komentuar marrëveshjen e Kumanovës, ai ka thënë se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë i ka dhënë fund regjimit serb në vendin tonë.
Në këtë kontekst, Haradinaj ka thënë se populli i Kosovës do të jetë mirënjohës gjithmonë ndaj aleatëve të lirisë dhe pavarësisë.
“24 vjet më parë në Kumanovë u nënshkrua marrëveshja e cila përfundimisht i dha vulë të drejtës sonë për të jetuar në liri duke i dhënë fund regjimit serb në Kosovë dhe spastrimit etnik si qëllim thelbësor i Millosheviqit. Rreshtimi i NATO-s me në krye me ShBA-të krah UÇK-së, është konfirmim i pastërtisë së luftës sonë çlirimtare. Mobilizimi i botës demokratike për t’i dalë në krah popullit të Kosovës që synim shekullor kishte lirinë, ishte vendimtar për lirinë dhe sot shtetin tonë. Populli i Kosovës do të jetë gjithmonë mirënjohës ndaj aleatëve tanë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Shqiptarët përjetësisht i janë falënderuese Amerikës për secilën etapë të historisë sonë!”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.