Haradinaj: Shteti dhe kombi gjerman, bosht i përkrahjes shumëdimensionale të Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim delegacionin e lartë nga qeveria gjermane të kryesuar nga sekretari shteti në Ministrinë e Mbrojtjes, Thomas Silberhorn, dhe sekretarja e shteti në Ministrinë për Bashkëpunim Ekonomik, Maria Flachsbarth.
Me këtë rast, Haradinaj ka thënë se sot po shënohet edhe një zhvillim jashtëzakonisht të rëndësishëm të marrëdhënieve ekonomike Kosovë-Gjermani.
Sipas tij, nga sot prania ushtarake gjermane në Prizren kalon në prani ekonomike.
“Shteti dhe kombi gjerman vazhdojnë të jenë bosht i përkrahjes shumëdimensionale të Kosovës. Kënaqësi dhe nder i posaçëm të pres delegacionin e lartë nga Qeveria gjermane, kryesuar nga Thomas Silberhorn, sekretar shteti në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Maria Flachsbarth, sekretare shteti në Ministrinë për Bashkëpunim Ekonomik. Me mysafirët e nderuar dhe me të gjithë gjermanët që shërbejnë në Kosovë, sot po festojmë Ditën e Unifikimit të Gjermanisë. Njëkohësisht, shënojmë edhe një zhvillim jashtëzakonisht të rëndësishëm të marrëdhënieve ekonomike Kosovë-Gjermani. Nga sot, prania ushtarake gjermane në Prizren kalon në prani ekonomike. Shndërrimi i kampit ushtarak gjerman në Park Inovativ-Trajnues të biznesit, është parakusht për zhvillim ekonomik dhe investime. Flamuri i Gjermanisë përherë do të valëvis në Kosovë”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/