Haradinaj: Shteti po e kryen obligimin ndaj të kthyerve nga lufta në Siri
23 prill 2019
| 14:53
Kryeministri Ramush Haradinaj në mbledhjen e sotshme të kabinetit qeveritar ka shprehur mirënjohje për të gjitha institucionet e Kosovës që kanë qenë të angazhuara në riatdhesimin e shtetasve kosovarë nga vatrat e luftës në Siri.
Në këtë kontekst ai ka falënderuar edhe mbështetjen e qeverisë amerikane në realizimin e suksesshëm të këtij operacioni.
Kryeministri Haradinaj ka vlerësuar se institucionet kanë përmbushur obligimet veta kushtetuese ndaj qytetarëve të vet dhe do të vazhdojnë të trajtojnë me seriozitet risocializimin e të kthyerve në shoqërinë tonë.
Haradinaj ka theksuar faktin se Kosova është pjesë e koalicionit ndërkombëtar për luftë kundër terrorizmit dhe do të vazhdojë të japë kontributin e saj në këtë drejtim.
/Epoka e re/