Haradinaj: Shtimi i KFOR-it dëshmon vendosmërinë e NATO-s se terrorizmi nuk kalon

02 tetor 2023 | 13:45

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka vlerësuar se shtimi i numrit të ushtarëve të KFOR-it në Kosovë dëshmon vendosmërinë e NATO-s se terrorizmi nuk kalon.

“Shtimi i numrit të pjesëtarëve të KFOR-it brenda mandatit që ka, dëshmon vendosmërinë e NATO-s se terrorizmi nuk kalon. Paqja në Kosovë e në Ballkan është vendosur më shumë dhimbje e tragjedi dhe prandaj nuk do të lejojmë askënd që ta rrezikojë atë”, ka thënë Haradinaj në “Facebook”, duke shtuar se Kosova qëndron fuqishëm në mbështetje të të drejtave politike për të gjitha komunitetet.

“Si Kosovë qëndrojmë fuqishëm në mbështetje të të drejtave politike të të gjitha komuniteteve, edhe të komunitetit serb, kjo në bazë të Kushtetutës, ligjeve të Kosovës dhe në bazë të planit franko-gjerman të përkrahur nga Amerika”, ka shkruar Haradinaj.

Më tutje, Haradinaj ka thënë se faktet janë duke u zbardhur përditë dhe është duke u dëshmuar implikimi i thellë të Serbisë në organizimin e akteve terroriste.

Sipas tij, Serbia nuk mund t’i ikë përgjegjësisë prandaj ka kërkuar një hetim ndërkombëtar.

“Faktet që po zbardhen përditë dëshmojnë për implikimin e thellë të Serbisë në organizimin e akteve terroriste në veri dhe shteti i Serbisë nuk mund t’i ikën përgjegjësisë. Prandaj kërkohet një hetim ndërkombëtar për të zbardhur skenarët e destabilizimit, jo vetëm të Kosovës por edhe të Ballkanit dhe për te nxjerr para drejtësisë të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në këto sulme terroriste”, ka thënë Haradinaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një minutë heshtje është mbajtur për rreshterin e rënë në…