Haradinaj shtrëngon duart me Merkelin, tregon për mbështetjen që mori nga ajo për Kosovën
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka pritur sot në takim kryeministrin Ramush Haradinaj.
Për detajet e takimit, Haradinaj ka postuar në llogarinë e vet në “Facebook” disa fotografi dhe ka treguar se për çfarë ka biseduar me Merkelin.
“I nderuar me ftesën e kancelares gjermane, Angela Merkel, në Berlin, për të diskutuar rreth zhvillimeve të fundit në rajonin tonë dhe për nivelin e lartë të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë. Sa i përket dialogut me Serbinë theksova se ne jemi për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, përfshirë njohjen reciproke, në kufijtë ekzistues”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka theksuar se nga Merkeli ka marrë konfirmimin se Gjermania do të vazhdojë ta përkrahë Kosovën në rrugën e saj euroatlantike dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar.
“Me këtë rast e falënderova Kancelaren Merkel për konsistencën e shtetit gjerman sa i përket mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës si dhe për vendimin e Gjermanisë për t’i thënë PO heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës të cilët, ndonëse i përkasin popullit më proeuropian, gjatë kohë janë mbajtur të izoluar. Nga kancelarja Merkel mora konfirmimin se Gjermania do të vazhdojë ta përkrahë Kosovën në rrugën e saj euroatlantike dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar!”, ka shkruar Haradinaj.
/Epoka e re/