Haradinaj: Si marrëveshje finale pranojmë vetëm njohje në kufijtë e 17 shkurtit
Kryeministri Ramush Haradinaj ka folur edhe një herë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka thënë se “si marrëveshje finale pranojmë vetëm njohje në kufijtë e 17 shkurtit”.
Këto komente i bëri në Mitrovicë, kur në partinë e tij, në AAK aderuan dhjetëra të qytetarë.
“Vendimet e mëdha të Qeverisë po reflektohen në rritjen e besimit në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, si parti besnike ndaj vlerave kombëtare dhe shtetërore. Sot, mirëprita aderimin e dhjetëra qytetarëve mitrovicas në AAK, para të cilëve shpalosa disa nga rezultatet dhe synimet për konsolidimin e brendshëm dhe ndërkombëtar të vendit. Mandatimi i ushtrisë ishte fryt i unitetit të plotë ndërpartiak dhe në këtë frymë është e domosdoshme ta shikojmë interesin nacional, që t’i sjellim së bashku fitore të reja Kosovës”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka thënë se Banka Botërore në raportin e saj Kosovën e rangon bindshëm të parën në rajon për rritjen ekonomike prej 4.5%, dhe kjo sipas tij, është dëshmi se 2019-ta do të jetë vit i kthesës së madhe në ekonomi dhe punësim.
“Qeveria synon me këmbëngulje t’i aktivizojë resurset ekonomike të vendit. Votimi i Statutit të Trepçës brenda këtij muaji, shndërron atë në kompani ligjore në funksion të zhvillimit ekonomik të Mitrovicës dhe tërë Kosovës”, ka thënë Haradinaj.