Haradinaj: S`ka ndarje të Kosovës, prekja në kufi sjellë tragjedi
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka përjashtuar opsionin e ndarjes së Kosovës, pas deklarimeve të zyrtarëve serbë.
Haradinaj duke folur të enjtën për “Zërin e Amerikës ” një gjë të tillë e ka quajtur strategji të Beogradit për të nxjerrë ndonjë gjë tjetër.
“Është një blof i Beogradit, e lëshojnë këtë për të nxjerrë diçka tjetër. Nuk besoj që kjo është serioze dhe nuk i merr kush seriozisht. Në Ballkan kufijtë janë vendosur si rezultat i luftrave dhe prekja në kufij mund të sjellë luftra e tragjedi të reja. Është një presion i parë për të nxjerrë diçka tjetër, çka e vetmja gjë është falja por jo harrimi”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka thënë se iniciativa e deputetëve të Kosovës për Gjykatën Speciale nuk mund të sjellë ndryshime, kurse për Demarkacionin me Malin e Zi është shprehur me shpresë se mund të korrigjohen, siç i ka quajtur ai, gabimet që janë bërë në nisje të procesit.