Haradinaj: Skënderbeun e gjejmë tek secili luftëtar i lirisë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka përkujtuar Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, në 553-vjetorin e vdekjes se tij.
Ai ka thënë se Skënderbeun e gjejmë tek secili luftëtar i lirisë dhe tek çdo zemër shqiptari.
“Në 553-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, kujtojmë kryeheroin që bashkoi shqiptarët. Çdo përvjetor kujtimi për të, është një rast reflektimi rreth ndjenjave kombëtare.
Skënderbeu dhe veprat e tij paraqesin përveç etjen për liri, edhe ndjenjën e bashkimit, shpërndarjen e meritave të asaj që arrihet. Këtë e vërteton më së miri thënia lapidare kur kishte arritur në trojet arbërore: Lirinë nuk ua solla unë, atë e gjeta në mesin tuaj! Sa herë kujtojmë Skënderbeun, e gjejmë shëmbëlltyrën e tij te secili martir, hero e dëshmor, në çdo etapë të historisë sonë të lavdishme. E gjejmë te secili luftëtar i lirisë, te zemra e çdo shqiptari. Lavdi e përjetshme!”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.