Haradinaj skeptik se do të ketë rezultat në dialogun Kosovë – Serbi
Kryeministri i Kosovës dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka deklaruar se tani është koha që Kosova t’i qaset Parlamentit Evropian, pasi sipas tij, Kosova i ka përmbushur 95 kriteret për liberalizim të vizave.
“Njerëzit tonë që qarkullojnë kah Parlamenti i BE-së, tani duhet të aktivizohen çofshin konsull, çofshin ambasador, çofshin staf diplomatik, por të gjithë ata që kanë mundësi dhe akses në Parlament, duhet të aktivizohen për agjendë. Tash është koha kur ne duhet t’i qasemi Parlamentit të BE-së, puna në Kosovë është kryer 95 kriteret e liberalizimit të vizave janë të kryera, por tash është puna atje, por nuk është me automatizëm se na i kemi kryer kriteret edhe me ndodh, tash duhet të gjithë ne me u marr. Do të ishte mirë t’ia kushtoj një kohë të madhe edhe unë si kryetar i Qeverisë, Parlamentit të BE-së”, ka thënë Haradinaj gjatë konstituimit të Kuvendit Drejtues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ku 73 anëtarë si shenjë betimi u pajisën me certifikata.
Haradinaj u shpreh skeptik për dialogun Kosovë-Serbi, pasi sipas tij mënyra më e mirë për të pasur rezultate të prekshme, është me hy një fuqi e re, si Amerika apo ndonjë shtet evropian.
“Unë jam skeptik se ka rezultat në këtë dialog, sepse janë të njëjtit njerëz, është Mogherini dhe Angelina Eichhorst, janë aty të njëjtit prej që pesë vjet, presidenti Thaçi, presidenti Vuçiq janë të njëjtë. E vetmja mënyrë për të ndodhur diçka ndryshe në dialog është me hy fuqi e re, diçka që nuk ka ekzistuar deri sot, përndryshe imagjinoni shkojmë deri në Bruksel kthehem pa marrëveshjen e energjisë, bile që është e vogël”, ka thënë Haradinaj.
Sipas tij është gabim të mendohet se duke e ndihmuar procesin e dialogut arrijmë më lehtë tek proceset tjera të rëndësishme për Kosovën.
Në cilësinë e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj u shpreh se deri në shtator partia që ai e udhëheq është e gatshme për të arritur suksese të reja si subjekt politik. (KP)