Haradinaj: Smajl Latifi, shembull i kryetarit të mirë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka vizituar të premten Komunën e Rahovecit ku ka takuar kryetarin e kësaj komune, Smajl Latifi.
Haradinaj ka thënë se udhëheqja e Smajl Latifit ka renditur Rahovecin në majën e komunave të suksesshme.
“Komuna e Rahovecit me kryetar Smajl Latifin, sot është renditur në majen e komunave të suksesshme. Vet Smajli, model i një kryetari të mirë e me performancë të shkëlqyer, e ka renditur komunën që e udhëheq, të paren për sa i përket transparencës dhe llogaridhënies. Rahoveci i verës dhe i rrushit, është shndërruar edhe në një atraksion turistik, në qytet të festivaleve e aktiviteteve kulturore, duke arritur që njëri prej tyre, ‘Hardhfesti’ që mbahet në çdo fillim shtatori, të bëhet ndër më të rëndësishmit në nivel Kosove”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se Rahoveci ka sfida për shkak të obstruksioneve nga qeveria qendrore.
“Në fillim të vizitës sime në Rahovec, nga kryetari Latifi dhe ekipi i tij i mrekullueshëm, u informova për projektet zhvillimore në komunë, si dhe për sfidat aspak të lehta, me të cilat po përballen ata, kryesisht për shkak të obstruksioneve nga qeveria qendrore. Me Smajlin kemi rrugëtuar bashkë, edhe në të gjitha fazat e lirisë dhe shtetndërtimit, edhe në kohë të vështira. Smajl Latifi do të jetë edhe njëri prej kandidatëve më të vlerësuar për deputet në listën e Aleancës, në zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit”, është shprehur Haradinaj.