Haradinaj: Sot, Kosova është me popullin e Bosnjës, me familjet dhe dhimbjen e tyre
Sot shënohet 24-vjetori i masakrës së Srebrenicës, në të cilën forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë.
Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se sot, Kosova është me popullin e Bosnjës, me familjet dhe dhimbjen e tyre!
“Në 24-vjetorin e Masakrës së Srebrenicës, nderojmë me respekt mijëra viktima civile, fëmijë, gra, të moshuar, njerëz të pafajshëm dhe të pambrojtur. Kjo masakër, na e kujton një epokë të errët dhe një akt barbar të një regjimi mizor. Masakra në Srebrenicë dhe vrasjet tjera masive në Ballkan nga regjimi i Millosheviqit dhe vartësve të tij, mbeten njolla të pa shlyera në ndërgjegjen e njerëzimit, derisa nuk vendoset drejtësia e munguar. Sot, Kosova është me popullin e Bosnjës, me familjet dhe dhimbjen e tyre!”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.