Haradinaj: Sot, po përmbyllet një borxh i yni që ua kemi pasur të rënëve për liri
“Populli ynë i ka shumë borxh dëshmorëve, por një varr të dinjitetshëm ia kemi borxh çdo qytetari tonë që ka rënë për liri dhe sot, po përmbyllet një borxh i yni që ua kemi pasur të rënëve për liri”, kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në inaugurimin e Kompleksit Memorial të dëshmorëve dhe heronjve të kombit, në Marinë të Skenderajt, ku u bë edhe rivarrimi i heronjve Ilaz Kodra, Mujë Krasniqi dhe Abedin Rexha, ceremoni kjo që u organizua nën patronatin e kryeministrit te Kosovës, Ramush Haradinaj.
Para të pranishmëve të shumtë, përfaqësues institucionalë, bashkëluftëtarë, familje të dëshmorëve, kryetarë të komunave dhe personalitet tjera të jetës politike, akademike e ushtarake të vendit, kryeministri Haradinaj ka thënë se sot, po zënë vend, në tokën e vet, luftëtarët e kësaj toke, bijtë e këtij populli dhe, gjithë bashkëluftëtarët e tyre, familjet, ndihen të lehtësuar, se më në fund trupat e tyre po rehatohen në tokën e vet, ashtu siç i ka hije, me dinjitet.
Më tutje, kryeministri Haradinaj ka thënë se borxhi tjetër të cilin ua kemi dëshmorëve, është se duhet forcuar liria, për të cilën ata ranë.
“Duhet forcuar shtetin, në ekonomi, politikë të brendshme dhe të jashtme, për të ruajtur Kosovën, për ta ruajtur territorin e vet dhe, kufijtë e vet t’i ruaj të paprekshëm prej kurrkujt, çoftë ai këtu me ne, çoftë tjetër kund, për shkak se këta kufij na i ka lënë amanet këta që po i rahatojmë”, ka dekalruar Haradinaj, duke shtuar se të gjithë duhet ditur se rritja jonë na pëlqen të gjithëve, por kurrë njëherë nuk guxojmë të lëvizim atë që është mbërri me gjak.
/Epoka e re/