Haradinaj: Sportistët tanë janë ambasadorët më të mirë të paqes

05 maj 2018 | 16:10

Në prag të Kampionatit Evropian të karatesë që do të mbahet nga 9 deri më 13 maj të këtij viti në Novi Sad, të Serbisë dhe ku Kosova do të përfaqësohet nga reprezentues shtetëror pjesë e Federatës së vendit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka theksuar se sportistët tanë janë ambasadorët më të mirë të paqes dhe meritorët e kapërcimit të dallimeve politike dhe etnike.

Këto komente Kryeministri Haradinaj i bëri pasi priti në takim kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani dhe kryetarin e Federatës së Karatesë së Kosovës, Ismet Krasniqi.

“Qeveria mbështet sportistët në çdo garë rajonale dhe botërore, duke e vlerësuar lartë rolin e tyre të afrimit, të promovimit të paqes. Ne jemi me fat që shumë sportistë tanë kanë kapërcyer kufijtë dhe jo vetëm kaq, kanë shënuar histori në një vend të huaj, duke përfaqësuar vlerat tona dhe duke na afruar më shumë me popuj të tjerë”, ka deklaruar Haradinaj.

Në këtë takim me kryetarin e KOK-ut, Besim Hasani, u fol edhe për të arriturat dhe sfidat e sportistëve kosovarë në përgatitjen e tyre për Lojërat e ardhshme Olimpike “Tokio 2020”.

Në takim u tha se 13 karateistët që e përfaqësojnë Kosovën në këto gara janë të gatshëm, mjaft të përgatitur dhe pritet që t’i sjellin medalje shtetit të Kosovës, aq më parë kur disa prej tyre tashmë kanë marrë epitetin e sportistëve kulminantë botërorë.

Kryeministri Haradinaj shprehu përkushtimin e tij që të ndihmojë Komitetin Olimpik dhe Federatën e Karatesë së Kosovës, duke thënë se përmes sportit kapërcehen kufijtë e ndarjeve politike, dhe u krijohet hapësirë vlerave të përbashkëta njerëzore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një aksident trafiku ka ndodhur sot në Pejë, me ç’rast…