Haradinaj-Stublla falënderon shqiptaro-amerikanët për aleancën Kosovë – ShBA
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, përpara se të niset në Uashington për takime me zyrtarë të Shtetit, të martën është takuar në Nju Jork me biznesmenë e përfaqësues të tjerë të shqiptarëve të Amerikës.
Për kryediplomaten e Kosovës ishte nder i veçantë të takojë në Bronx të Nju Jorkut bashkërisht veprimtarët shqiptaro-amerikanë, Hajdar (Harry) Bajraktari, Lisa Milicaj, Rrustem Gecaj, dhe Man Celaj.
“Ua përcolla të falat e përzemërta nga Kosova, dhe falënderimin e thellë për kontributin e pashembullt dhe të vazhdueshëm të tyre në ruajtjen dhe kultivimin e lidhjeve të forta shqiptaro-amerikane”, ka thënë ministrja Haradinaj-Stublla, duke kujtuar edhe të kaluarën e tyre jo edhe aq të lehtë për të arritur aty ku janë dhe për t’i ndihmuar kauzës shqiptare.
“Migruan në Amerikë në kohërat më të vështira, ndihmuan afirmimin e çështjes së Kosovës atëherë kur ne nuk kishim zë, ndërsa sot gëzojnë reputacion të lartë në shoqërinë politike e të biznesit në ShBA, duke mirëmbajt me shumë përkushtim e vizion aleancat tona me Shtetet e Bashkuara”, ka thënë shefja e diplomacisë së Kosovës.
Gjatë këtij takimi, ministrja Haradinaj Stublla takoi edhe anëtarin e Këshillit të Bashkisë së Nju Jorkut, Ritchie Torres, me të cilin bashkëbisedoi për zhvillimet historike e aktuale në Ballkan, si dhe për aspiratat politike e strategjike të Republikës së Kosovës.
“Kisha kënaqësinë që në këtë mes të takoj edhe Ritchie Torres, prej të cilit kërkova që të mos e harrojë Kosovën, pavarësisht se ku do ta shpie e ardhmja e tij politike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka theksuar ministrja Haradinaj-Stublla, e cila nga këtu vizitën e saj të parë zyrtare në SHBA do ta vazhdojë në Uashington.
(M.K / Epoka e re)