Haradinaj-Stublla i dërgon telegram ngushëllimi familjes Gashi: Kosova humbi një njeri të madh
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Meliza Haradinaj-Stublla i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes Gashi, pas vdekjes së gazetarit të mirënjohur Syljeman Gashi.
Haradinaj Stublla i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes, duke thënë se Kosova humbi një gazetar e profesionist të madh.
Haradinaj-Stublla ka çmuar lartë punën e Gashit si korespodent nga ShBA-të, duke thënë se ai i ka dhënë vlerë të jashtëzakonshme gazetarisë dhe shoqërisë kosovare.
“E nderuar familje Gashi,
Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të gazetarit të njohur dhe shumë të çmuar, Sulejman Gashi.
Sulejmani duke korresponduar nga ShBA-të, i ka dhënë vlerë jo vetëm gazetarisë por dhe shoqërisë sonë, sidomos në vitet e 90-ta kur lajmet nga Kosova merrnin jehonë edhe përtej Atlantikut nga zëri i tij. Lajmëtar i rrethanave të jashtëzakonshme, duke mbuluar lajmin për luftën në Kosovë dhe duke lidhur urat tona me ShBA-të, ai ishte këmbimi i zërit të popullit shqiptar të Kosovës që kërkonte liri dhe paqe.” është shprehur Haradinaj Stublla në telegramin e dërguar.
Duke kujtuar punën e Gashit ndër vite, Shefja e diplomacisë ka thënë se gjithë bagazhi që ai ka lënë pas vete do të jetë inspirim për gjeneratat që do vijnë.
“Kosova humbi një profesionist e gazetar të madh, humbi një nga themeluesit e gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria”, dhe një nga rindërtuesit e RTK-së dhe medias së lirë së pas luftës. Mirëpo, Sulejmani la pas vetës një histori të gjatë të një gazetarie të mirëfilltë që do inspirojë breza pas tij, la një familje që nderon jo vetëm Sulejmanin, por të gjithë kombin”, është shprehur kryediplomatja kosovare.
Ministrja Haradinaj i ka shprehur ngushëllime edhe shoqërisë, kolegëve të mediave dhe gjithë atyre që e njohën gazetarin Gashi.