Haradinaj-Stublla: Kosova dhe Shqipëria e kanë ndërtuar të kaluarën dhe të tashmen, duke qenë një
“Kosova dhe Shqipëria e kanë ndërtuar të kaluarën dhe të tashmen, duke qenë një dhe po në këtë trase, do të vazhdojmë rrugëtimin tonë”, ka thënë të martën ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj – Stublla, në takimin që zhvilloi me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.
“Sot në një takim shumë të përzemërt me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, z. Qemal Minxhozi, ritheksuam nevojën e një dinamike të re bashkëpunimi dhe aspirate drejt integrimit euro-atlantik dhe avancimit të prioriteteve tona të përbashkëta”, ka deklaruar Haradinaj-Stublla.
Në këtë takim, kryedimplomatja e Kosovës ka falënderuar ambasadorin Minxhozi edhe për kontributin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë në të gjithë rrugëtimin e shtetëndërtimit të Kosovës, që nga çlirimi e në vazhdimësi.
“Po ashtu, kërkova mbështetjen e Shqipërisë edhe më tutje në proceset që i kemi përpara, që janë jetike për Kosovën dhe për çështjen shqiptare në përgjithësi”, është shprehur Haradinaj-Stublla.
(Q.R / Epoka e re)