Haradinaj-Stublla: Nuk ka sovranitet me vendime josovrane
Ish-ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla ka reaguar pas dhënies së lejes për hyrje në Kosovës të të ashtuquajturit Drejtor i Zyrës për Kosovë në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se është për keqardhje se me sa lehtësi MPJD-ja ka aprovuar lejen për hyrje në Kosovë të Petar Petkoviq.
Postimi i plotë i ish-ministres:
Nuk ka sovranitet me vendime josovrane
Është për keqardhje se me sa lehtësi MPJD paska aprovuar lejen për hyrje në Kosovë të të ashtuquajturit Drejtor i Zyrës për Kosovë në qeverinë e Serbisë Petar Petkoviq, kur dihen tashmë shkeljet e njëpasnjëshme të Serbisë bërë në vazhdimësi kundër Kosovës, e sidomos muajve të fundit pa dhënë asnjë përgjegjësi:
- Mbajtja në arrest ilegal të dy qytetarëve tanë të arrestuar në kufi;
- Kontrabandimi kriminal i vaksinave të dyshimta në territorin e Kosovës;
- Mohimi e mbrojtja me krenari e krimeve gjenocidale gjatë luftës në Kosovë;
- Përdorimi i gjuhës shqiptarofobe e fashiste ndaj shqiptarëve;
- Mirëmbajtja e strukturave paralele në disa pjesë të Kosovës;
- Shkelja e secilës marrëveshje të nënshkruar me Kosovën;
- Presioni e shantazhi mbi serbët e mire-integruar në Kosovë;
- Interferimi dhe shantazhi në institucionet e RKS nga veglat e Vuçiqit;
- Kampanja e tmerrshme për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginë;
- Deklaratat e vazhdueshme politike kundër shtetësisë së Republikës së Kosovës…etj.
Edhe 22 vjet pas lufte, nuk po mbushemi mend që të respektojmë veten dhe dinjitetin tonë, pa lejuar nëpërkëmbjen nga të tjerët.
PSE?!