Haradinaj – Stublla për deklaratën e Macronit: Kushtëzim mbi Kosovën për t’u kthyer në dialog
Ish-ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj – Stublla, ka reaguar pas deklaratës së presidentit francez, Emmanuel Macron, për sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën.
Haradinaj – Stublla ka thënë se konteksti i deklaratës së Macronit është i qartë, kushtëzim absurd e kërcënim joproporcional mbi Kosovën me vizat.
“Kushtëzim absurd e ‘kërcënim’ joproporcional mbi Kosovën me vizat, për t’u rikthyer në dialog tashmë të dështuar të BE-së pa e mbajtur Serbinë përgjegjëse për krimin e agresionit të 24 shtatorit! Gjendje alarmante për diplomacinë kosovare”, ka thënë Haradinaj – Stublla.
Kujtojmë se mediet kanë raportuar të martën se fillimisht Macroni ka deklaruar se Franca ka pezulluar liberalizimin e vizave për Kosovën, por më pas ka dalë se deklarata e presidentit francez ishte gabim në përkthim.