Haradinaj-Stublla për hapjen e ambasadës në Izrael: Shpifësit ma pamundësuan praninë time sot në Jerusalem
Ish-ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka uruar hapjen e ambasadës së Kosovës në Jeruzalem.
Haradinaj-Stublla ka shkruar se pavarësisht pengesave të mëdha brenda e jashtë, ndihet e lumtur se kjo arritje u përmbyll.
“Edhe pse shpifësit ma pamundësuan kurorëzimin e kësaj pune me praninë time të planifikuar sot në Jerusalem, jam shumë e lumtur që përkundër pengesave të mëdha brenda e jashtë, kjo arritje u përmbyll – duke hapë horizont të ri për Kosovën tonë”, ka shkruar në llogarinë e saj në “Facebook” Haradinaj-Stublla.
Postimi i plotë i saj:
KOSOVA DHE IZRAELI ????
Puna e madhe që është bërë në MPJD, rezultoi me një hap të madh të zgjerimit e konsolidimit të Shërbimit të Jashtëm të Kosovës, me Ambasadën më të re të Republikës së Kosovës në Jerusalem, kryeqytetin e Izraelit. Bashkë me të Ngarkuarën me Punë që tashmë është atje, MPJD do të duhej të dërgojë menjëherë edhe diplomatë të karrierës dhe atashe të mbrojtjes e policor në Jerusalem, deri në dekretimin e Ambasadorit/es Fuqiplotë.
Shumë shpejtë, Shteti i Izraelit do t’i kthejë përgjigje Kosovës edhe për vaksinat që i kam kërkuar nga Ministri Ashkenazi në takimin bilateral që i ka paraprirë nënshkrimit formal të marrëdhënieve diplomatike me 1 shkurt 2021.
Marrëdhënia e re e Kosovës me Izraelin, do të hapë horizonte e mundësi të reja bashkëpunimi ekonomik, zhvillimor, ushtarak, e poashtu në inovacion e teknologji.
Qëllimi i secilit politikan do të duhej të jetë që pas shërbimit, t’a lë shtetin më mirë se që e ka gjetur. Për këtë fakt, jam e përmbushur moralisht e profesionalisht.
Urime Kosovë