Haradinaj-Stublla: Situata në Luginë është alarmante, duhet ta ngrisim zërin

06 tetor 2020 | 13:23

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD), Meliza Haradinaj Stublla, ka thënë se situata në Luginën e Preshevës është alarmante, dhe se duhet ngritur zërin në instanca më të larta për gjendjen e shqiptarëve atje.

Ajo këto komente i ka bërë të martën pas takimit me kryetarin e Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi.

“Situata në Luginë është alarmante, e ne duhet të ngrisim zërin në instanca më të larta, që po iu bëhet shqiptarëve në at pjesë”, ka thënë ministrja Haradinaj-Stublla.

Më tutje, Haradinaj-Stublla, ka thënë se gjatë takimit me Arifin kanë diskutuar për disa projekte infrastrukture dhe çështje tjera me interes.

“Kemi nisur një platformë më takimeve jo vetëm me fotografi por takime konkrete. Në këto takime kemi diskutuar për projekte infrastrukturore të komunave të Luginës së Preshevës”, ka thënë Haradinaj- Stublla, duke shtuar se e kanë mbajtur premtimin që e kam dhënë për 5 studentët e shkencave politike të Luginës së Preshevës.

Ndërsa kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, ka thënë se takimet me ministren Haradinaj- Stublla, janë duke rezultuar të suksesshme.

“Ka qenë një takim substancial dhe shumë miqësor. Këto takime nuk i kemi pasur vetëm si fotografi, por sot është parë një sukses nga MPJD-ja, sepse sot kanë filluar praktikën 5 student të Luginës, dhe jo vetëm këtë, por kjo ministri po bënë shumë punë sa i përket shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, ka thënë kryetari Arifi.

Po ashtu, Arifi ka falënderuar ministren Haradinaj-Stublla, për raportin e krijuar me kryediplomatin e Shqipërisë, Gent Cakaj.

“E falënderojë edhe ministren për takimin që ka pasur me Gent Cakajn, për Fondin që është krijuar, e kjo është diçka e mirë për shqiptarët. Ne po ashtu, e kemi edhe një draft se si do të duhej të jetë ky fond, por gjatë ditëve ta ardhshme do ta publikojmë”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit