Haradinaj-Stublla takon Palmerin, flasin për dialogun Kosovë-Serbi
Republika e Kosovës për herë të parë në historinë e saj, do të mund të dërgojë përfaqësuesin e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Departamentin Amerikan të Shtetit (DASH).
Këtë ia ka konfirmuar kryediplomates së Kosovës Meliza Haradinaj-Stublla vet Zëvendës Ndihmës Sekretari për Çështjet Evropiane dhe të Euroazisë, Matthew Palmer, gjatë takimit që zhvilluan së bashku në Uashington.
“Koordinimi i ngushtë i politikës sonë të jashtme me SHBA-të, dhe profesionalizimi i Shërbimit të Jashtëm sipas praktikave më të larta ndërkombëtare, mbeten prioritet i yni”, ka deklaruar Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla.
Sipas një komunikate për medie të MPJD-së, kryediplomatja e Kosovës me zyrtarin e lartë amerikan ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi.
“Diskutuam me z.Palmer edhe dialogun me Serbinë, ku bashkë me Ministrin e Drejtësisë, Selim Selimi theksuam se vetëm nën lidershipin amerikan, dialogu do të ketë dinamikën dhe qartësinë e duhur për t’u përmbyllur me njohje reciproke në kufijtë ekzistues, duke ruajtur karakterin unitar dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar ajo.