Haradinaj-Stublla takon Qunin: Avancimi i integrimit në NATO, prioritet i Kosovës
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, pas takimeve zyrtare që ka zhvilluar javën e kaluar në selinë e NATO-s me ambasadorë të vendeve aleate, ka pasur sot një takim pune me ministrin e Mbrojtjes, Anton Quni.
“Sot isha në vizitë tek Ministri i Mbrojtjes për të diskutuar për vizitën time të fundit në Bruksel, takimet që kisha në selinë e NATO-s, si dhe për dinamizimin e bashkëpunimit funksional dhe strategjik midis dy ministrive”, ka thënë ajo, raporton “Epoka e re”.
Shefja e diplomacisë, ka thënë se Ushtria e Kosovës, e rreshtuar përkrah botës së prirë nga ShBA-ja dhe shtetet aleate, është sinjal që Kosova po ndërton forcë moderne mbrojtëse, me qëllim ndërveprues me NATO-n.
Në këtë takim, Haradinaj-Stubulla dhe Quni janë dakorduar për bashkëpunim të ngushtë në planifikimin e hapave të radhës, për themelimin e Grupit Ndërministror për avancim të integrimit në NATO, si dhe nënshkrimin e memorandumit të ri të bashkëpunimit për shkallën e shërbimit.