Haradinaj-Stublla: Vizita e sotme e ministrit të Jashtëm grek, ngjarje e veçantë për Kosovën
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla ka pritur në Aeroport ministrin e Jashtëm grek, Nikos Dendias.
Ajo ka thënë se vizita e sotme e ministrit të Jashtëm grek është ngjarje e veçantë për Kosovën.
“Greqia si shtet anëtar i Bashkimit Evropian dhe shtet i rajonit tonë, ka vënë një standard të lartë të konstruktivitetit politik – duke mirëmbajtur me Kosovën një dialog tejet praktik dhe duke përkrahur shtetin tonë në rrugën e integrimit Evropian”.
“Sot pata kënaqësinë ta pres Ministrin Dendias në Prishtinë, për të diskutuar më vonë gjithë gamën e bashkëpunimit tonë bilateral, dhe për të shkëmbyer idetë tona se si t’i thellojmë më tej marrëdhëniet tona në fushat e interesit të ndërsjellë”, ka shkruar Haradinaj-Stublla në llogarinë e saj në “Facebook”.
Ajo ka theksuar se me Greqinë na lidhë edhe miqësia e përbashkët me SHBA-të, dhe është element i jashtëzakonshëm në ndërtimin dhe konsolidimin themeleve të forta të marrëdhënieve tona.