Haradinaj-Stubulla: Anëtarësimi i Kosovës në NATO, garancë për sigurisë në Evropën Juglindore

28 dhjetor 2020 | 17:23

Një Kosovë e fortë dhe e integruar në NATO është garancë për sigurisë në Evropën Juglindore. Kështu ka thënë të hënën ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, në takimin zyrtar që ka zhvilluar në Ankara, me homologun e saj turk, Mevlut Çavusoglu.

Shefja e diplomacisë së Kosovës, ka thënë se është mirënjohëse për mbështetjen shumëdimensionale dhe të pandërprerë të Turqisë, veçanërisht në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Në takim me ministrin Çavusoglu, ministrja Haradinaj-Stublla ka thënë se janë diskutuar të gjitha aspektet e raporteve bilaterale midis të dyja shteteve, duke ngritur me prioritet çështjen e qasjes në vaksinën anti-Covid-19, dhe mbështetjen për bashkëpunim të ngushtë në këtë drejtim.

Në kuadër të diskutimit për zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare, kryediplomatja Haradinaj-Stublla, ka kërkuar përkrahjen e mëtejme të Turqisë në përmbylljen e njohjes universale të shtetit të Kosovës, si anëtar me të drejta dhe përgjegjësi të plota në bashkësinë ndërkombëtare.

“E sigurova homologun se një Kosovë e fortë brenda, e integruar në NATO dhe e njohur ndërkombëtarisht është garancë e fortë e sigurisë dhe stabilitetit në Evropën Juglindore. Njëherësh u sigurova nga ministri Çavusoglu se Turqia do të vazhdojë mbështetjen e plotë për Kosovën në këtë aspekt”.

“Gjithashtu, treguam gatishmëri për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve në aspektin e sigurisë dhe atë ushtarak, sidomos për aspiratën legjitime të Kosovës për avancimin e rrugëtimit të saj integrues për në NATO, duke përmbyllur kështu arkitekturën e sigurisë në brezin e Adriatikut”, ka thënë ajo.

Ministrat Haradinaj-Stubulla dhe Çavusoglu kanë diskutuar edhe për nevojën e rritjes së aktivitetit ekonomik midis dy shteteve dhe përmirësimin e bilancit tregtar.

Ministri Çavusoglu është shprehur se në këtë kuadër do të rriten investimet turke në Kosovë si edhe do të mundësohen kushtet për rritjen e eksportit kosovar drejt Turqisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Problemet me lirimin e lëndës së parë në import, lirimi…