Haradinaj: Do ta bëjmë një Kosovë të jetueshme edhe për brezat që vijnë pas nesh
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka uruar qytetarët e Kosovës për Vitin e Ri.
Ai deklaroi se ka pranuar urime të panumërta nga shqiptarët kudo në botë për të dhe familjen e tij.
Urimit të tij, Haradinaj i bashkëngjiti një fotografi familjare ku shihet mes bashkëshortes dhe fëmijëve të tij.
Postimi i plotë:
Në prag të ndërrimit të moteve kam marrë urime të panumërta, nga shqiptarë çdokund në botë, nga qytetarë kosovarë e miq të Kosovës, me urimet më të mira për mua, Anitën dhe fëmijtë, për familjen time të gjërë, Haradinaj!
Më kanë uruar për prosperitetin e Kosovës, që na obligon t’i shërbejmë me devotshmëri dhe dashuri.
Sonte, kur mblidhemi sipas zakonit rreth votrës së zjarrit, me familjarë e miq, i kujtojmë dëshmorët e lirisë, që iu bënë dritë Atdheut!
U mbulofshin me lavdi të përjetshme!
Më kanë shkruar ata që e duan Kosovën unike, duke më porositur që të ndërtojmë koncensus që së bashku t’ia dalim mbanë – ta ruajmë Republikën tonë!
Më kanë shkruar për të më uruar bashkëpunëtorë të mi nga AAK-ja dhe kabineti qeveritar, punëtorë, diplomatë e artistë, pensionistë, policë e mësues … Për çka i falënderoj nga zemra!
Jam i vetëdijshëm se Atdheu ynë, Republika e Kosovës, ka përpara shumë sfida, por zotohem se nuk do t’ju zhgënjej, sepse do të përballem me tërë fuqinë e mendjes dhe shpirtit me problemet e vendit dhe së bashku me ju qytetarë kosovarë – me forcën e ligjit – do ta bëjmë një Kosovë të jetueshme, për vete dhe brezat që vijnë pas nesh!
Zoti ju bekoftë Juve dhe familjet Tuaja!
Paqja dhe dashuria mbretërofshin në familjet dhe shtëpitë Tuaja!