Haradinaj: Ta kthejmë besimin në institucione
“Të gjithë ne duhet të jemi të përgjegjshëm për detyrat që i kemi dhe nga pozicioni ku jemi duhet të japim maksimumin që ta kthejmë besimin në institucionet e vendit dhe ta përmirësojmë punën tonë”, ky ishte mesazhi i kryeministrit Ramush Haradinaj në takimin e sotëm, i teti me radhë, i nivelit të lartë për sundimin e ligjit, ku u prezantuan të arriturat e muajve të fundit nga institucionet përkatëse, dhe në veçanti puna e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, Agjencisë Qendrore të Prokurimit dhe Organit Shqyrtues të Prokurimit.
Kryeministri Haradinaj ka kërkuar nga drejtuesit e këtyre mekanizmave që rregullojnë funksionimin e prokurimit publik që të angazhohen më shumë në arritjen e rezultateve dhe rritjen e besimit të qytetarëve, duke theksuar se prokurimi publik është pjesë e rëndësishme e reformave që kërkohet t’i bëjë Qeveria e Kosovës në rrugën drejt integrimit në BE.
Ai ka thënë se Kosova ka shënuar progres sa i përket prokurimit, duke theksuar se Strategjia Kombëtare e Prokurimit Publik për periudhën 2017-2021, është një prej strategjive shumë të rëndësishme për vendin.
Safet Hoxha, kryetar i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, ka prezantuar në detaje punën e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, duke theksuar se 97% e të gjitha procedurave dhe aktiviteteve të prokurimit kryhen përmes platformës elektronike të prokurimit.
“Platforma e prokurimit elektronik është një nga sistemet më të përdorura në nivel qeveritar dhe biznesi”, është shprehur Hoxha.
Kurse kryetari i Bordit të KRPP-së ka folur edhe për sfidat që e kanë përcjell KRPP-nw gjatë vitit 2017 në zbatimin dhe funksionalizimin e prokurimit elektronik, për shkak të kapaciteteve të pamjaftueshme të KRPP-së dhe mos-adaptimit të legjislacionit aktual me prokurimin elektronik.
Ndërsa në prezantimin e Agjencisë Qendrore të Prokurimit, u tha se janë 16 institucione për të cilat ky agjencion i kryen procedurat e Prokurimit, derisa sfidë mbetet mungesa e resurseve dhe vonesa në bashkëpunim e autoriteteve kontraktuese.
Nga ana tjetër, Blerim Dina nga OSHP-ja ka pohuar se në vitin 2017 janë pranuar 541 ankesa në këtë institucion dhe janë shqyrtuar 459 apele, derisa sfidë e këtij organi mbetet mungesa e personelit mbështetës dhe mos ekzekutimi i vendimeve.
Në këtë takim, që u kryesuar nga Kryeministri Haradinaj u prezantuan edhe të arriturat në Ministrinë e Drejtësisë, Doganën e Kosovës, Policinë e Kosovës, nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Gjykata Supreme dhe Agjencia Kundër Korrupsion.
Nga këto prezantime u kuptua progresi i arritur në këto institucione në këta muajt e fundit, veçmas në rekrutimin e gjyqtarëve të rinj dhe stafit mbështetës dhe në kalimin e projektligjeve nga ana e Qeverisë së vendit, tejet të nevojshme në përafrimin me agjendën evropiane.
Pjesë e takimit ishin edhe ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Greg Delawie, shefja e Misionit të BE-së Nataliya Apostolova, shefja e EULEX-it, Alexandra Papadopoulos, shefja e Misionit të USAID-it Lisa Magno, dhe përfaqësues të tjerë institucional.
/Epoka e re/