Haradinaj: Ta ndihmojnë Kurtin duke e shkarkuar
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se dialogu dhe qeverisja në Kosovë janë në rrugë të gabuar.
Ai ka theksuar se kjo rrugë e gabuar po i shkakton humbje dhe goditje.
“Dialogu dhe qeverisja në Kosovë janë në rrugë të gabuar që po i shkakton humbje dhe goditje Kosovës. Nëse dikush shpreson që Kurti dhe qeveria Kurti ta nxjerrë Kosovën nga sanksionet, do të del gabim”, ka thënë Haradinaj në Kuvendin e Kosovës.
Më tutje, Haradinaj ka thënë se duhet që të ndalet Kurti.
“Besoj që është detyrë e Kuvendit që ta nxjerr qeverinë Kurti dhe Albin Kurtin nga drejtimi i gabuar. Detyrë e gjithë deputetëve dhe jo vetëm opozitar. Besoj që ne si Kuvend duhet t’i marrim përgjegjësit. Ne e kemi votuar, Kuvendi e ka votuar qeverinë, qytetarët i kanë votuar të zgjedhurit e të zgjedhurit qeverinë, e ne që i kemi dhënë besimin e në këtë rast shumica, ju lus shqyrtojeni a është në rregull me vazhduar një drejtim siç e kemi në vend apo të gjithë ne ta ndihmojmë Kosovën, ta ndihmojmë Kurtin me mocion, pra ta shkarkojmë qeverinë Kurti”, ka thënë Haradinaj.