Haradinaj: Takimi i ftuar nga zyra e Merkelit nuk ishte i fshehtë
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë me dije se takimi i mbajtur në Berlin në mes të zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës dhe atyre të Serbisë nuk mund të quhet takim i fshehtë.
Gjatë një konference për medie, pas mbledhjes së qeverisë, kryeministri ka thënë se për këtë takim i kishte njoftuar partnerët e koalicionit qeverisës.
“Një takim i ftuar nga zyra e kancelares Merkel nuk është i fshehtë. Është në mandatin e qeverisë. I kam informuar partnerët qeverisës me kohë”, ka thënë Haradianj.
Ai ka deklaruar se do të ishte mirë që marrëveshja në mes të Kosovës dhe Serbisë të arrihej këtë vit, por sipas tij e rëndësishme është që Kosova të mos bëjë hapa të gabuar në këtë proces.
Ai ka folur edhe për përpjekjen e Serbisë për të inskenuar një katastrofë humanitare në veri të vendit.
“Jemi në dijeni tani për këtë plan, pra improvizimin e krizës humanitare. Kemi edhe prova të këtij skenari të tillë. Nuk do të lejojmë që të mungojë asnjë produkt, sepse ata janë qytetar të Kosovës”, është shprehur Haradinaj.
/Epoka e re/