Haradinaj takohet me admiralin Foggo, flasin për sigurinë në Kosovë dhe rajon
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim komandantin e Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, admiralin James Foggo III, dhe komandantin e KFOR-it, në Kosovë, gjeneralmajor Lorenzo D’Addario, me të cilët ka biseduar për gjendjen e tanishme të sigurisë në Kosovë dhe rajon.
Kryeministri Haradinaj e ka njoftuar admiralin Foggo për zhvillimet aktuale politike dhe të sigurisë në Kosovë, duke e falënderuar atë dhe NATO-n për mbështetjen e Kosovës në të gjitha proceset dhe për misionin e tyre në krijimin dhe forcimin e paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe më gjerë.
“U jemi mirënjohës përjetësisht për angazhimin dhe rolin tuaj dhe të gjithë ushtarëve të KFOR-it, të cilët kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë për të krijuar një ambient të qetë dhe të sigurt për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Haradinaj, duke e siguruar atë se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për bashkëpunim me KFOR-in në forcimin e stabilitetit dhe të sigurisë në Kosovë dhe rajon.
Duke konfirmuar bashkëpunimin e të gjitha institucioneve të sigurisë të Kosovës me KFOR-in, kryeministri Haradinaj ka theksuar se Kosova do të ruajë dhe forcojë partneritetin me NATO-n.
“Ne jemi popull që i takojmë popujve të lirë, të udhëhequr nga ShBA-të, në shërbim të paqes në vend, rajon dhe botë”, ka thënë Haradinaj, duke shtuar se Kosova është e gatshme t’i bashkohet NATO-s në misionet paqësore, në shërbim të paqes dhe sigurisë në botë.
Haradinaj e ka njoftuar admiralin Foggo për periudhën e tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke thënë se kjo forcë do të jetë multietnike, profesionale dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit në të cilën do të jenë të përfshira të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.
Ndërkohë admirali Foggo ka thënë se misioni i KFOR-it mbetet i pandryshuar për një mjedis të sigurt në Kosovë dhe për ruajtjen e stabilitetit në Kosovë dhe rajon.
/Epoka e re/