Haradinaj takohet me ambasadorin britanik, flasin për zhvillimet politike dhe zgjedhjet
Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, Nicholas Abbott, me të cilin ka biseduar në lidhje me çështjet politike e ekonomike në vend.
Haradinaj ka bërë me dije se në këtë takim e ka njoftuar ambasadorin britanik në lidhje me procesin zgjedhor të 6 tetorit.
“Diskutim i hapur dhe miqësor, takimi me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, Nicholas Abbott, rreth çështjeve politike e ekonomike në vend por edhe më gjerë. Ambasadorin Abbott e njoftova për procesin zgjedhor të 6 tetorit, që rezultoi të jetë fer, demokratik dhe përmes së cilit u dëshmua një pjekuri e lartë politike por edhe qytetare”.
“Po ashtu, ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, z. Abott i shpreha mirënjohje të sinqertë në emër të qytetarëve të Kosovës për gjithë angazhimin për t’i shtyrë përpara proceset jetike në konsolidimin e shtetësisë së vendit. Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar kanë krijuar marrëdhënie të mira në funksion të zbatimit të shumë projekteve të rëndësishme dhe uroj që këto raporte të avancohen edhe më tej!”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/