Haradinaj takohet me bashkatdhetarët
“Shqiptarët janë me fat për ju, janë me fat për diasporën, sepse nuk ka hequr dorë prej atdheut në asnjë rrethanë, në asnjë etapë, pra edhe kur kishit vështirësi. E vërteta është se ne në Kosovë i kemi disa sfida dhe nuk i kemi kryer gjitha punët e vendit, por do t’i përmbyllim. Kosova duhet ta përmbyllë shtetësinë e vet, duhet të jetë anëtare e OKB, NATO-s, duhet t’i përgjigjet interesave të qytetarëve të vet, së pari, e pastaj të jetë mik i mirë për miqtë dhe të mos lejojë të dështojë. Të gjitha këto punë i bëjmë, kuptohet jo aq lehtë, dhe nganjëherë kemi vështirësi dhe sfida që i shihni edhe ju”, kështu tha kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në pritjen organizuar për bashkatdhetarët tanë që jetojnë në diasporë.
Kryeministri Haradinaj, para bashkatdhetarëve kujtoi periudhën kur në moshën 16 vjeçare ka shkuar në diasporë për t’i parë mundësitë, duke qëndruar atje për dhjetë vjet, dhe theksoi se jetën që e bëjnë bashkatdhetarët e njeh nga perspektiva e një punëtori.
“Nuk ka qenë e lehtë, por sfiduese në të gjitha drejtimet. Është sfiduese, sepse atje punohet, fitohet, por edhe standardi është i lartë. Pastaj ne jemi shqiptarë, kudo që jemi dëshirojmë ta ruajmë veten, identitetin, ta ruajmë fëmijën tonë në tradita, vlera sepse nuk është e lehtë në vend të huaj”, shtoi kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj.
Më tej, kryeministri Haradinaj tha se një gjë që nuk ndryshon asnjëherë është dashuria e njerëzve për vendin e vet, për tokën, vendin e lindjes, duke shtuar se është kënaqësi që sot janë bashkë me bashkatdhetarët që jetojnë në diasporë dhe falënderoi ata që vazhdojnë ta duan dhe të jetojnë me Kosovën dhe atdheun edhe atje ku jetojnë.
Kryeministri në detyrë Haradinaj tha se Kosova asnjëherë nuk e ka harruar diasporën, jo vetëm për shkak të përkujdesjes financiare që edhe sot i japin vendit, por sepse janë gjaku ynë, familja dhe njerëzit e këtij vendi.
Riza Sheqiri, shkrimtar nga Suedia, falënderoi kryeministrin Haradinaj për pritje, duke thënë se diaspora shqiptare sot janë njerëz që krijojnë vlera të cilat i reflekton te vendlindja.
/Epoka e re/