Haradinaj takohet me ministrin e Brendshëm francez, kërkon përkrahjen për vizat
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës zyrtare në Paris, është pritur nga ministri i Brendshëm i Francës, Christophe Castaner, me të cilin ka biseduar për zhvillimet në Kosovë dhe rajon.
“Në takim me ministrin e Brendshëm të Francës, Christophe Castaner, kërkova mbështetjen e Francës në procesin e liberalizimit të vizave, si një hap tejet të rëndësishëm për vendin. Në këtë frymë, bashkë nënshkruam edhe letrën e qëllimit të mirë, për të luftuar krimin e organizuar, terrorizmin dhe migrimin ilegal”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Haradinaj ka theksuar se Kosova është palë serioze për partneritet dhe se me lëvizjen e lirë, vendet europiane fitojnë mundësi më shumë.
“Ministrin Castaner e njoftova edhe për të arriturat në vendin tonë, përkushtimin e Qeverisë në forcimin e rendit dhe ligjit, luftimin e terrorizmit, dhe synimin e Kosovës për t’u integruar në BE dhe në NATO”.
“Falënderova ministrin Castaner për ndihmën e vazhdueshme që Franca i ka dhënë vendit tonë në të gjitha periudhat e shtetndërtimit dhe konsolidimit të institucioneve demokratike dhe në këtë fazë të rëndësishme të konsolidimit ndërkombëtar të vendit, partneriteti i shtetit mik vazhdon të jetë i nevojshëm”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka thënë se Kosova i plotëson kushtet për liberalizim të vizave dhe Franca është partneri kryesor drejt përgjigjes finale për lëvizje të lirë.