
Haradinaj takohet me përfaqësuesit e Këshillit Global të Imamëve
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj është takuar së fundmi me të vetëshpallurin imam Mohammed Tawhidi që është një ndikues mysliman shiit australian.
Ai aktualisht shërben si zëvendëspresident i Këshillit Global të Imamëve, organizatë kjo me bazë në Irak.
Pos Tawhidit, Haradinaj në zyrat e partisë ka takuar edhe një tjetër klerik fetar.
Bëhet fjalë për Sheikh Saleh Sibveih, përfaqësues i organizatës së njohur ndryshe si ajo e Ajatollah Shirazit.
Ky i fundit emrin e të cilit e bart organizata njihej ndryshe edhe si Razi Shirazi, ishte një shiit irakian-iranian i cili ishte jurist, filozof dhe teolog.
Përmes një postimi në “Twitter”, Tawhidi shihet me Haradinajn në zyrat e AAK-së në Prishtinë.
“Ishim të nderuar që u pritëm nga shkëlqesia e tij, dy herë kryeministri Ramush Haradinaj në Prishtinë. Takimi u zhvillua rreth vizitës së Këshillit në Kosovë dhe forcimit të lidhjeve me popullin e Kosovës”, ka shkruar Tawhidi.
Nuk dihet kur saktësisht ka ndodhur ky takim meqë Haradinaj aktualisht është për vizitë në Gjermani.
