Haradinaj takon Ahmetin e Limaj, zotohet se do ta ndihmojë ekipin negociator të dialogut
Kryeministri Ramush Haradinaj ka pritur sot në takim bashkëkryesuesit e ekipit negociator për dialogun me Serbinë, Shpend Ahmetin dhe Fatmir Limajn.
Haradinaj e drejtuesit e ekipit negociator kanë diskutuar për koordinimin e veprimeve dhe afateve për procesin e dialogut, me ç’rast Haradinaj është zotuar se Qeveria do të jetë në funksion të plotë të këtij ekipi.
“Me qëllim të koordinimit të veprimeve dhe afateve për procesin e dialogut, takova sot bashkëkryesuesit e ekipit negociator të votuar në Kuvend, së bashku me grupin e ekspertëve të Zyrës së Kryeministrit. Qeveria e Kosovës ka ndërtuar një ekip dinamik të ekspertëve që ka përgatitur materien gjithëpërfshirëse, të gjallë, të hapur për debat, që procesi i dialogut ndërmjet dy shteteve të jetë transparent. U zotova se Qeveria do të jetë në funksion të plotë të ekipit negociator dhe ai mund të llogaris tërësisht në ekspertizën të cilën e posedojnë të gjithë mekanizmat dhe sektorët e shtetit”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”./Epoka e re/