Haradinaj takon ambasadoren Stjernvall, flasin për zhvillimet politike në vend
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim ambasadoren e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall.
Me këtë rast kryeministri Haradinaj, e ka njoftuar ambasadoren Stjernvall për zhvillimet politike dhe ekonomike në vend, për prioritetet e qeverisë në forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe të arriturat në fusha të tjera të rëndësishme për mirëqenien e qytetarëve.
Haradinaj e ka falënderuar ambasadoren e Finlandës për gjithë mbështetjen që e ka dhënë shteti finlandez në Kosovë si partnere i fuqishëm dhe përkrahëse e madh e proceseve eurointegruese të vendit tonë.
Kryeministri Haradinaj ka kërkuar nga ambasadorja finlandeze përkrahjen e saj në aksionin për pastrimin e Kosovës, që do të nisë më 15 shtator.
“Finlanda në vazhdimësi e ka ndihmuar Kosovën në programe të caktuara që kanë pasur rëndësi të veçantë për jetën e qytetarëve. Sot kërkova nga ambasadorja finlandeze që të na bashkohen në aksionin tonë për pastrimin e Kosovës”, ka thënë kryeministri Haradinaj.
Ambasadorja e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall, ka falënderuar kryeministrin Haradinaj për pritje, duke shprehur gatishmërinë e shtetit të saj për të ndihmuar Kosovën në të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon.
/Epoka e re/