Haradinaj takon ambasadorin amerikan në Gjermani, flasin për zhvillimet politike
Në kuadër të vizitës zyrtare në Berlin, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar sot një takim me ambasadorin e ShBA-ve në Gjermani Richard Grenell.
Haradinaj ambasadorit amerikan i ka shprehur përkushtimin e Kosovës për procesin e dialogut me Serbinë, për konsolidimin e ekipit negociator të vendit dhe për zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese, bazuar në ligjet dhe kushtetutën e vendit dhe se Kosova është e gatshme për tregti të lirë me Serbinë, si pjesë e një marrëveshje që rezulton me njohje reciproke.
“Theksova gjithashtu se Qeveria e vendit kundërshton fuqishëm idenë e këmbimit të territoreve, duke e cilësuar si opsion të rrezikshëm dhe që do ta destabilizonte jo vetëm vendin por edhe rajonin”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Po ashtu ambasadorit Grenell kryeministri i ka treguar për progresin e arritur në vend në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit dhe për përkushtimin e Kosovës për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore, gjithmonë në partneritet me aleatët tanë dhe me aspiratat tona për rrugën euro-atlantike.
“Roli i ShBA-ve në proceset e mëtejme politike të vendit është i domosdoshëm”, ka deklaruar Haradinaj.
/Epoka e re/