Haradinaj takon drejtuesit e sektorit të sigurisë dhe arsimit, kërkon zbardhjen e rastit në Drenas
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim drejtuesit e sektorit të sigurisë dhe arsimit me të cilët ka biseduar për rastin e 16-vjeçares nga Drenasi, e cila dyshohet se është abuzuar seksualisht nga një polic dhe një mësues.
“Sot kam pritur në takim pune ministrin e Brendshëm, Ekrem Mustafa, ministrin e Arsimit, Shyqiri Bytyqi, drejtorin e përgjithshëm të Policisë, Rashit Qalaj, kryeshefen e Inspektoratit Policor, Miradie Kelmendi dhe kryeinspektorin e Arsimit, Defrim Gashi, nga të cilët kërkova që të ndërmerren të gjitha veprimet, bazuar në ligjet e Kosovës, për ta zbardhur të vërtetën dhe për t’i nxjerrë para drejtësisë, të gjithë ata që kanë kryer vepër të jashtëligjshme në rastin e të miturës nga Drenasi”.
“Institucionet e vendit, prokuroria dhe gjykata, duhet të dëshmojnë fuqinë e vet në zbatim të ligjit. Rasti i abuzimit seksual të të miturës nga Drenasi, duhet të trajtohet në kohë dhe me profesionalizëm nga të gjitha institucionet e vendit. Njëkohësisht, kërkoj nga të gjitha mekanizmat institucional dhe shoqëror, që të bashkërendojnë politikat dhe aktivitetet, me qëllim të parandalimit të rasteve të tilla në të ardhmen”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/