Haradinaj takon Hahnin, flasin për taksën dhe liberalizimin e vizave

15 shkurt 2019 | 16:56

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është takuar me komisionerin  evropian për politika të fqinjësisë dhe negociata të zgjerimit, Johannes Hahn në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih të Gjermanisë.

Ai ka treguar se i ka thënë komisionerit Hahn se Kosova është e përkushtuar që të jetë partnere kredibile e bashkëpunimit rajonal dhe fqinjësisë së mirë, gjithmonë, kur asaj nuk i mohohet e drejta për të vepruar si shtet i pavarur dhe sovran.

“Kosova është e përkushtuar që të jetë partnere kredibile e bashkëpunimit rajonal dhe fqinjësisë së mirë, gjithmonë, kur asaj nuk i mohohet e drejta për të vepruar si shtet i pavarur dhe sovran. Këtë ia thashë Komisionerit Evropian për Politika të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn me të cilin pata rastin të diskutoj, së bashku me zëvendëskryeministrin Pacolli, në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih të Gjermanisë”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.

Haradinaj ka bërë me dije se në takimin me Hanin ka diskutuar për çështjen e taksës ndaj Serbisë si dhe për procesin e liberalizimit të vizave.

“Vendi ynë i gëzohet tregut të lirë, jo vetëm mes Kosovës dhe Serbisë, por në të gjithë Ballkanin Perëndimorë. I gëzohemi kohës kur nuk do të ketë tarifa, por njëkohësisht respekti dhe njohja reciproke, është parakusht për t’u arritur kjo. Po ashtu, theksova edhe njëherë nevojën e liberalizimit të vizave si një e drejtë që u takon qytetarëve tanë. Rikujtova se Kosova tashmë ka përmbushur të gjitha kushtet dhe padrejtësisht mbetet e izoluar”, ka shkruar më tutje Haradinaj.

 /Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Administratës Publike (MAP), Mahir Jagxhillar, ka thënë se…