Haradinaj takon Hamzën, diskutojnë për zhvillimet e fundit në rajonin e Mitrovicës
Së bashku me kryetarin e degës së AAK-së në Mitrovicë, Qazim Nimani, kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj ka takuar kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza.
“Kemi disktuar për zhvillimet e fundit në rajonin e Mitrovicës dhe për problemet me të cilat po përballet aktualisht kjo trevë. Shpreha shqetësimin për situatën e krijuar në Trepçë që ka shtyrë minatorët të hynë në grevë, por edhe për neglizhencën e qeverisë qendrore në Prishtinë në raport me Trepçën”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.
Ai ka shtuar se: “Kryeministri dhe qeveria me eksperimentet e tyre dhe veprimet pas shpine ndaj qytetarëve e ndaj aleatëve i kanë humbur 3 vjet të çmuara jo vetëm Mitrovicës por gjithë vendit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme të cilat po reflektojnë edhe në zbrazjen e vendit. Është momenti i fundit që këto praktika eksperimentale të ndalen dhe Kosova urgjentisht t’i kthehet rrugës së saj euro-atlantike. Vetëm nën ombrellën e NATO-s jemi të sigurtë!”, ka theksuar lideri i AAK-së.