Haradinaj takon ish-bashkëluftëtarët në Pejë: Po ndihem sikur në ditët e lavdisë, ato të UÇK-së
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka qëndruar të premten në Pejë në mesin e ish-bashkëluftëtarëve nga Batalioni i parë sulmues i Zonës Operative të Dukagjinit.
Haradinaj ka thënë se ashtu siç e kishte nderin t’i ketë përkrah gjatë luftës, edhe sot u është bashkuar atyre në këtë takim.
“Batalioni i parë sulmues i Zonës Operative të Dukagjinit, kreu detyrën me profesionalizëm e trimëri. Siç kisha nderin t’i kam përkrah gjatë Luftës Çlirimtare, sot u bashkova me ta dhe komandantin Bujar Ukimeraj. Evokuam kujtime, nderuam ata që ranë në krye të detyrës, që shqiptarët të kenë liri, heronjtë Fadil Nimani udhëheqës i Batalionit, Jusuf Kelmendi e Ahmet Gjikolli, luftëtarë të orëve të para. Në Pejë sot, me këta trima përkrah, e ndjeva veten sikur në ditët e lavdisë, ditët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.