Haradinaj takon kundërshtuesit e ndërtimit të hidrocentralit në Lumbardh
Kryeministri Ramush Haradinaj ka takuar sot përfaqësuesit e komunitetit rugovas, të cilët po e kundërshtojnë projektin për ndërtimin e hidrocentralit në Lumbardh.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se gjatë takimit ky komunitet është interesuar edhe për krijimin e Trupës së Përbashkët Punues për Rishikimin dhe Korrektimin e sektorëve në drejtim të Çakorrit dhe Kullës së Zhlepit.
“Sot kam pritur në takim përfaqësuesit e komunitetit rugovas, të cilët shprehën shqetësimin e tyre rreth projektit për ndërtimin e hidrocentralit në Lumbardh. Njëkohësisht, në takim u shpreh edhe interesimi i këtij komuniteti se në çfarë faze ka arritur procesi i krijimit të Trupës së Përbashkët Punues për Rishiqimin dhe Korrektimin e sektorëve në drejtim të Çakorrit dhe Kullës së Zhlepit, ashtu siç është paraparë në deklaratën e përbashkët të dy presidentëve të nënshkruar në Podgoricë më 16 shkurt 2018. Për këtë Komisioni Shtetëror për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi konfirmoi se është në proces të punës dhe në afat optimal do të formohet edhe Trupi i Përbashkët Punues për Shënjimin e vijës kufitare Kosovë-Mal i Zi”, ka shkruar Haradinaj.
/Epoka e re/