Haradinaj takon mërgimtarët në Gjermani: Me suksesin e tyre po nderojnë gjithë kombin
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka takuar sot mërgatën në Gjermani ku ka vlerësuar kontributin e tyre për liri dhe në procesin e shtetkrijimit.
Haradinaj ka shkruar në Facebook se mërgata me suksesin e tyre po nderojnë gjithë kombin, shkruan Reporteri.net.
Postimi i tij:
Mërgata jonë ndërlidhet me mbijetesën e popullit të Kosovës në kohë të vështira dhe vazhdon të jetë forcë e atdheut. Respekt dhe mirënjohje e përjetshme për kontributin e jashtëzakonshëm të mërgatës në arritjen e lirisë dhe në procesin e shtetkrijimit.
Sot, mërgata jonë është bërë shembull i punës dhe përkushtimit kudo që ata jetojnë, sikurse këtu në Gjermani të cilët me suksesin e tyre në biznes, shkencë, sport e kulturë po nderojnë gjithë kombin.
Bashkatdhetarët tanë kanë një adresë, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Adresë për secilin bashkatdhetar që beson në Kosovën e fortë politikisht dhe ekonomikisht.
Mbështetja masovike e mërgatës për Aleancën, u vërtetua edhe sot në Kuvendin Zgjedhor për rajonin e Bavarisë, ku ishim bashkë me deputeten Time Kadrijaj, kryetarin e komunës së Suharekës Bali Muharremaj, kryetarin e komunës së Rahovecit Smajl Latifi, me Blerim Kuqin e shumë kolegë e miq të tjerë.
Me motivin që mërgata jonë të jetë pjesë e vendimmarrjes në Kosovë, ky Kuvend ka zgjedhur z. Selim Hoti, kryetar të AAK-së për rajonin e Bavarisë në Gjermani.
Jam i bindur se vullneti i madh për punë i z. Ukë Blaka, dhe strukturave të tjera në Gjermani do të rezultojë me punë të sukseshme bashkërisht.
Shpagimi më i mirë për kontributin e tyre të çmueshëm është ndërtimi i një Kosove të fortë politikisht dhe ekonomikisht, që fuqizon kështu edhe njerëzit e saj kudo në botë.
Selimit dhe të gjitha strukturave që sot morën drejtimin e Aleancës në shtetin mik, Gjermaninë, ju urova sukses dhe ofrova mbështetjen time të plotë!